John 6:50-71

Albanian(i) 50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë. 51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës''. 52 Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: ''Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?''. 53 Prandaj Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. 54 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. 55 Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. 56 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. 57 Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. 58 Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë''. 59 Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum. 60 Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ''Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?''. 61 Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ''Kjo ju skandalizon? 62 Ç'do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë? 63 Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë. 64 Por janë disa midis jush që nuk besojnë''; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte; 65 dhe thoshte: ''Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im''. 66 Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të. 67 Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ''A doni edhe ju të largoheni?''. 68 Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ''Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. 69 Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''. 70 Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall''. 71 Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.