John 14:1-17

Albanian(i) 1 ''Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thoja. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend. 3 Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. 4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën''. 5 Thomai i tha: ''Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?'' 6 Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. 7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë''. 8 Filipi i tha: ''Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton''. 9 Jezusi i tha: ''Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?". 10 A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat. 11 Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave. 12 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14 Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj''. 15 ''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. 16 Dhe unë do t'i lutem Atit dhe ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, 17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.