Job 33:16-30

Albanian(i) 16 Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën, 17 për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia, 18 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata. 19 Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij, 20 aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme. 21 Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë; 22 kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen. 23 Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij. 24 Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të". 25 Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij. 26 Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij. 27 Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja. 28 Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën". 29 Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun, 30 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.