Jeremiah 46:2-12

Albanian(i) 2 Kundër Egjiptit: përsa i përket ushtrisë së Faraonit Neko, mbretit të Egjiptit, që ishte pranë lumit Eufrat në Karkemish dhe që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e mundi vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës. 3 "Përgatitni mburojën e vogël dhe të madhe dhe afrojuni betejës. 4 Shaloni kuajt dhe ju kalorës, u hipni atyre; paraqituni me përkrenare, i shndritni shtizat tuaja, vishni parzmoret! 5 Çfarë po shoh? Ata e kanë humbur dhe po kthehen prapa; burrat e tyre trima janë mundur dhe ikin me nxitim pa kthyer as kokën prapa; rreth e qark sundon tmerri", thotë Zoti. 6 "Mos lejo që i shpejti të ikë dhe që trimi të shpëtojë. Në veri, pranë lumit Eufrat, ata po lëkunden dhe po rrëzohen. 7 Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit fryhen si ato të lumenjve? 8 Éshtë Egjipti që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit po fryhen si ato të lumenjve. Ai thotë: "Do të dal, do të mbuloj tokën dhe do të shkatërroj qytetin dhe banorët e tij". 9 Ngarkohuni, o kuaj, dhe përparoni me rrëmbim, o qerre, le të dalin përpara burrat trima, ata të Etiopisë dhe të Putit që mbajnë mburojën dhe ata të Ludit që përdorin dhe shtrijnë harkun. 10 Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive, është ditë hakmarrjeje, për t'u hakmarrë me armiqtë e tij. Shpata do të shfarosë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zoti, Zoti i ushtrive, bën një flijim në vendin e veriut, pranë lumit Eufrat. 11 Ngjitu në Galaad dhe merr ca balsam, o e virgjër, o bijë e Egjiptit. Më kot ti përdor barëra të shumta, nuk ka shërim për ty. 12 Kombet kanë marrë vesh poshtërsinë tënde dhe britma jote e dhembjes ka mbushur dheun, sepse trimi është penguar me një trim dhe që të dy kanë rënë bashkë".