Jeremiah 46:13-26

Albanian(i) 13 Fjala që Zoti i drejtoi profetit Jeremia për ardhjen e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur vendin e Egjiptit. 14 Shpalleni në Egjipt, bëjeni të ditur në Migdol, bëjeni të ditur në Nof dhe në Tahpanhes. Thoni: "Çohu dhe përgatitu, sepse shpata përpin çdo gjë që të rrethon". 15 Pse burrat e tu trima janë rrëzuar? Nuk mund të rezistojnë sepse Zoti i rrëzon. 16 Ai bën që të lëkunden shumë prej tyre, bien njëri mbi tjetrin dhe thonë: "Ja, të kthehemi te populli ynë dhe në vendlindje, larg shpatës vrastare". 17 Atje ata bërtasin: "Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk është veçse një zhurmë e madhe, që ka lënë të kalojë koha e caktuar". 18 "Siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive, "ai do të vijë si Tabori midis maleve, si Karmeli pranë detit. 19 Përgatit gjërat e nevojshme për robërinë, o bijë që banon në Egjipt, sepse Nofi do të bëhet një shkretëtirë dhe do të digjet, nuk do të banojë më askush në të. 20 Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur, por i vjen shkatërrimi, i vjen nga veriu. 21 Edhe mercenarët e tij që janë në mes të tij janë si viça për majmëri; edhe ata e kanë kthyer kurrizin, ikin bashkë, nuk rezistojnë, sepse ka zbritur mbi ta dita e fatkeqësisë së tyre, koha e ndëshkimit të tyre. 22 Zëri i tij lëviz si një gjarpër, sepse ata përparojnë me një ushtri dhe dalin kundër saj me sëpata si shumë druvarë. 23 Ata do të rrëzojnë pyllin e saj", thotë Zoti, "megjithëse është i padepërtueshëm, sepse janë më të shumtë se karkalecat, nuk numërohen dot. 24 Bija e Egjiptit do të mbulohet me turp, do të jepet në dorë të popullit të veriut". 25 Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, thotë: "Ja, unë do të dënoj Amonin e Nosë, Faraonin dhe Egjiptin, perënditë e tij dhe mbretërit e tij, Faraonin dhe ata që kanë besim tek ai; 26 do t'i jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të shërbëtorëve të tij; por mbas kësaj do të banohet si në të kaluarën", thotë Zoti.