Jeremiah 13:1-14

Albanian(i) 1 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko të më blesh një brez prej liri dhe vëre mbi ijët e tua, por mos e zhyt në ujë". 2 Kështu unë bleva brezin, sipas fjalëve të Zotit dhe e vura mbi ijët e mia. 3 Pastaj fjala e Zotit m'u drejtua për herë të dytë, duke thënë: 4 "Merr brezin që ke blerë dhe që e ke mbi ijët e tua, çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe aty fshihe në të çarën e një shkëmbi". 5 Unë shkova dhe e fsheha pranë Eufratit, ashtu si më kishte porositur Zoti. 6 Mbas shumë ditësh ndodhi që Zoti më tha: "Çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe merr aty brezin që të kisha urdhëruar të fshihje". 7 Unë shkova në drejtim të Eufratit, gërmova dhe mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Por brezi ishte kalbur dhe nuk vlente më për asgjë. 8 Atëherë Zoti më drejtoi fjalën, duke thënë: 9 "Kështu thotë Zoti: "Në këtë mënyrë unë do të shkatërroj kryelartësinë e Judës dhe kryelartësinë e madhe të Jeruzalemit. 10 Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë. 11 sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës", thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim, por nuk deshën të më dëgjojnë"". 12 "Prandaj ti do t'u thuash atyre këtë fjalë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Çdo poç do të mbushet me verë". Në rast se më vonë do të të thonë: "A nuk e dimë vallë që çdo poç mbushet me verë?", 13 ti do t'u përgjigjesh atyre: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t'i deh tërë banorët e këtij vendi: mbretërit që ulen në fronin e Davidit, priftërinjtë, profetët dhe tërë banorët e Jeruzalemit. 14 Do t'i copëtoj njërin kundër tjetrit, etërit dhe bijtë së bashku"", thotë Zoti. "Nuk do të kem mëshirë, nuk do t'i fal, nuk do të kem asnjë dhembshuri që të më pengojë t'i shkatërroj".