Isaiah 14:4-17

Albanian(i) 4 ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Ashtu si mbaroi shtypësi, tagrambledhja e arit ka mbaruar. 5 Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve. 6 Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë. 7 Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi. 8 Madje edhe selvitë e kedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s'ka dalë kundër nesh". 9 Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve. 10 Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne. 11 Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote". 12 Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet? 13 Ti thoshnje në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; 14 do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin". 15 Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës. 16 Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: "Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë, 17 që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?".