Isaiah 13:1-14

Albanian(i) 1 Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit. 2 "Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave. 3 Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time. 4 Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë. 5 Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun. 6 Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit. 7 Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet. 8 Do t'i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta. 9 Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj. 10 Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj. 11 Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t'i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve. 12 Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit. 13 Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij. 14 Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet.