Ezekiel 34:4-12

Albanian(i) 4 Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi. 5 Kështu ato, për mungesë bariu, janë shpërndarë, janë bërë pre e të gjitha bishave të fushës dhe kanë humbur. 6 Delet e mia po enden nëpër tërë malet dhe mbi çdo kodrinë të lartë; po, delet e mija janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t'i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes". 7 Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit: 8 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "duke qenë se delet e mija janë bërë një pre, delet e mia i hanë të gjitha bishat e fushave për mungesë të një bariu dhe sepse barinjtë e mi nuk kanë vajtur ti kërkojnë delet e mia, por barinjtë kanë kullotur për veten e tyre dhe nuk kanë kullotur delet e mia". 9 Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit: 10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër barinjve; do t'u kërkoj llogari për delet e mia dhe nuk do t'i lë t'i kullotin delet. Barinjtë nuk do të kullotin më veten e tyre, sepse do t'u heq nga goja e tyre delet e mia dhe nuk do të jenë më ushqimi i tyre. 11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem. 12 Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t'i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.