Exodus 7:1-15

Albanian(i) 1 Zoti i tha Moisiut: "Shiko, unë po të bëj si perëndi për Faraonin, dhe vëllai yt Aaroni do të jetë profeti yt. 2 Ti do të thuash tërë ato që do të të urdhëroj unë dhe vëllai yt Aaroni do t'i flasë Faraonit, që t'i lërë të shkojnë bijtë e Izraelit nga vendi i tij. 3 Por unë do ta ngurtësoj edhe më tepër zemrën e Faraonit dhe do t'i shumëzoj shenjat dhe mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit. 4 Prandaj Faraoni nuk do t'jua vërë veshin, dhe kështu unë do ta zgjas dorën mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga vendi i Egjiptit radhët e mia, popullin tim, bijtë e Izraelit, duke dhënë ndëshkime të mëdha. 5 Egjiptasit do të marrin vesh atëherë që unë jam Zoti, kur do të shtrij dorën time mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga mesi i tyre bijtë e Izraelit". 6 Dhe Moisiu dhe Aaroni vepruan kështu; ata bënë pikërisht ashtusiç i kishte urdhëruar Zoti. 7 Kur i folën Faraonit, Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç dhe Aaroni tetëdhjetë e tre. 8 Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: 9 "Kur Faraoni t'ju flasë dhe t'ju thotë: "Bëni një mrekulli", ti do t'i thuash Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe hidhe para Faraonit, që të bëhet gjarpër"". 10 Moisiu dhe Aaroni vajtën pra te Faraoni dhe vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Aaroni e hodhi bastunin e tij përpara Faraonit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ai u bë gjarpër. 11 Atëherë edhe Faraoni thirri të diturit dhe yshtësit; dhe magjistarët e Egjiptit me artin e tyre të fshehtë bënë edhe ata të njëjtën gjë. 12 Secili prej tyre hodhi bastunin e tij, dhe bastunët u bënë gjarpërinj; por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre. 13 Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti. 14 Zoti i tha Moisiut: "Zemra e Faraonit është ngulmuese; 15 ai nuk pranon ta lërë popullin të shkojë. Shko te Faraoni nesër në mëngjes, kur ai ka për të dalë për të vajtur drejt ujit. Ti do të qëndrosh ta presësh në breg të lumit dhe do të marrësh në dorë bastunin që është shndërruar në gjarpër.