Exodus 27:1-8

Albanian(i) 1 "Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi. 2 Në katër qoshet e tij do të bësh brinj, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz. 3 Do të bësh edhe enët e tij për të mbledhur hirin, lopatëzat e tij, legenët e tij, pirunjtë e tij dhe mangallët e tij; të gjitha veglat e tij do t'i bësh prej bronzi. 4 Do t'i bësh gjithashtu një grilë prej bronzi në formë rrjete dhe mbi rrjetë, në katër qoshet e tij, do të bësh katër unaza prej bronzi; 5 dhe do ta vësh nën kornizën e altarit, në pjesën e poshtme, në mënyrë që rrjeta të ndodhet në gjysmën e lartësisë së altarit. 6 Do të bësh edhe disa shufra për altarin, shufra me drurin e akacies, dhe do t'i veshësh me bronz. 7 Shufrat do të kalojnë nëpër unazat; dhe shufrat do të jenë në të dy anët e altarit, kur ky do të duhet të bartet. 8 Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda; duhet ta bësh ashtu siç t'u tregua në mal.