Deuteronomy 6:1-9

Albanian(i) 1 Ky është urdhërimi, statutet dhe dekretet që Zoti, Perëndia juaj, ka urdhëruar t'ju mësojë, për t'i zbatuar në vendin në të cilin po hyni për ta marrë në zotërim; 2 me qëllim që ti të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të respektosh gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, yt bir dhe djali i birit tënd, të tëra statutet dhe të gjitha urdhërimet e tij që unë po të jap, dhe me qëllim që ditët e jetës sate të zgjaten. 3 Dëgjo, pra, Izrael, dhe ki kujdes t'i zbatosh në praktikë, me qëllim që të njohësh begatinë dhe të shumëzohesh me të madhe në vendin ku rrjedh qumësht dhe mjalt, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu. 4 Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. 5 Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. 6 Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; 7 do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. 8 Do t'i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, 9 dhe do t'i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.