Deuteronomy 30:2-10

Albanian(i) 2 dhe kur të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe t'i bindesh zërit të tij, ti dhe bijtë e tu, me gjithë zemër e më gjithë shpirt, duke respektuar tërë ato që po të urdhëroj sot, 3 Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria, do të ketë mëshirë për ty dhe do të të mbledhë përsëri nga radhët e të gjithë popujve, ndër të cilët Zoti, Perëndia yt, të kishte shpërndarë. 4 Edhe sikur të kesh qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë dhe do të marrë që andej. 5 Zoti, Perëndia yt, do të të rikthejë në vendin që etërit e tu kanë zotëruar dhe ti do ta zotërosh atë; dhe ai do të të bëjë të mira dhe do të të shumëzojë më tepër se etërit e tu. 6 Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh. 7 Dhe Zoti, Perëndia yt, do t'i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar. 8 Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t'i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot. 9 Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu, 10 sepse do t'i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.