Acts 24:1-13

Albanian(i) 1 Por pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Anania bashkë me pleqtë dhe me një gojtar, një farë Tertuli; ata dolën përpara qeveritarit për të akuzuar Palin. 2 Kur u thirr Pali, Tertuli filloi ta akuzojë duke thënë: 3 ''Fort i shkëlqyeri Feliks, ne e pranojmë në gjithçka e për gjithçka dhe me mirënjohje të thellë se paqja të cilën gëzojmë dhe reformat dobiprurëse që janë zbatuar për këtë komb janë vepër e masave të tua largpamëse. 4 Por, për të mos të shqetësuar më gjatë, të lutem me mirësinë tënde, të na dëgjosh shkurtimisht. 5 Ne kemi gjetur se ky njeri është një murtajë dhe shkakton trazira midis gjithë Judenjve që janë në botë dhe është kryetari i sektit të Nazarenasve. 6 Ai, madje, u përpoq të përdhosë tempullin; dhe ne e zumë dhe deshëm ta gjykonim sipas ligjit tonë. 7 Por erdhi tribuni Lisia dhe e mori me forcë nga duart tona, 8 duke i urdhëruar paditësit e tij të vijnë tek ti; duke e hetuar atë, do të mundësh ti vetë të marrësh vesh prej tij të vërtetën e të gjitha gjërave, për të cilat ne e akuzojmë''. 9 Edhe Judenjtë u bashkuan, duke pohuar se kështu qëndronin gjërat. 10 Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: ''Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes. 11 Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar. 12 Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet; 13 dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë.