Acts 19:26-35

Albanian(i) 26 Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar. 27 Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t'i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon''. 28 Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: ''E madhe është Diana e Efesianëve!''. 29 Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër. 30 Dhe Pali donte t'i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin. 31 Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër. 32 Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur. 33 Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit. 34 Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: ''E madhe është Diana e Efesianëve!''. 35 Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: ''O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi?