Acts 12

Albanian(i) 1 Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha. 2 Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit. 3 Dhe, duke parë se kjo u pëlqente Judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve). 4 Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës. 5 Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të. 6 Dhe natën, para se ta nxirrte Herodi përpara popullit, Pjetri po flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojet para portës ruanin burgun. 7 Dhe ja, një engjëll i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi qelinë; dhe ai i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi duke thënë: ''Çohu shpejt!''. Dhe zinxhirët i ranë nga duart. 8 Pastaj engjëlli i tha: ''Ngjishu dhe lidhi sandalet!''. Dhe ai bëri kështu. Pastaj i tha: ''Mbështillu me mantelin dhe ndiqmë!''. 9 Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç'po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim. 10 Dhe, si kaluan vendrojën e parë dhe të dytë, arritën te dera e hekurt që të çonte në qytet, dhe ajo u hap përpara tyre vetvetiu; dhe, mbasi dolën, përshkuan një rrugë dhe papritmas engjëlli e la atë. 11 Kur Pjetri erdhi në vete, tha: ''Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i Judenjve''. 12 Kur e kuptoi situatën, ai u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin. 13 Sapo Pjetri i ra derës së hyrjes, një shërbëtore që quhej Rode u afrua me kujdes për të dëgjuar. 14 Dhe, kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi derën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri ndodhej para derës. 15 Por ata i thanë: ''Ti flet përçart''. Por ajo pohonte se ashtu ishte. Dhe ata thoshnin: ''Éshtë engjëlli i tij!''. 16 Ndërkaq Pjetri vazhdonte të trokiste. Ata, kur e hapën, e panë atë dhe u mahnitën. 17 Por ai u bëri shenjë me dorë të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Pastaj tha: ''Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!''. Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër. 18 Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç'kishte ndodhur me Pjetrin. 19 Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë. 20 Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse 21 Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim. 22 Populli e brohoriste, duke thënë: ''Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!''. 23 Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq. 24 Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej. 25 Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.