Acts 10:17-28

Albanian(i) 17 Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç'kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera. 18 Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty. 19 Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: ''Ja, po të kërkojnë tre burra. 20 Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t'i kam dërguar''. 21 Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: ''Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?''. 22 Dhe ata i thanë: ''Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t'i thënë''. 23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan. 24 Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë. 25 Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi. 26 Por Pjetri e ngriti duke thënë: ''Çohu, edhe unë jam një njeri!''. 27 Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz. 28 Dhe ai u tha atyre: ''Ju e dini se nuk është e ligjshme që një Jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur.