2 Kings 6:1-7

Albanian(i) 1 Dishepujt e profetëve i thanë Eliseut: "Ja, vendi ku ne banojmë me ty është tepër i vogël për ne. 2 Na lër të shkojmë deri në Jordan: atje secili prej nesh do të gjejë një tra dhe do të bëjmë një vend për të banuar". Eliseu u përgjigj: "Shkoni". 3 Njëri prej tyre tha: "Të lutem, prano të vish edhe me shërbëtorët e tu". Ai u përgjigj: "Do të vij". 4 Kështu ai shkoi me ata. Kur arritën në Jordan, filluan të presin disa drurë. 5 Ndërsa njeri prej tyre po i binte një trungu, hekuri i sëpatës i ra në ujë. Ai filloi të bërtasë dhe tha: "Oh, o imzot, këtë e kisha marrë hua". 6 Njeriu i Perëndisë pyeti: "Ku ka rënë?". Ai i tregoi vendin. Atëherë Eliseu preu një copë druri, e hodhi në atë pikë dhe nxorri në sipërfaqe hekurin. 7 Pastaj tha: "Merre". Kështu ai shtriu dorën dhe e mori.