2 Chronicles 30:2-15

Albanian(i) 2 Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë; 3 në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem. 4 Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë. 5 Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar. 6 Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë. 7 Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni. 8 Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju. 9 Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai". 10 Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta. 11 Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem. 12 Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit. 13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh. 14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit. 15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.