1 Samuel 2:29-36

Albanian(i) 29 Pse pra i përçmoni flijimet dhe blatimet e mia që kam urdhëruar të bëhen në banesën time, dhe pse nderoni më tepër fëmijët tuaj se mua, duke u trashur me pjesën më të mirë të blatimeve të Izraelit, të popullit tim? 30 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë kisha shpallur që shtëpia jote dhe shtëpia e atit tënd do të kishin ecur gjithnjë para meje, por tani Zoti thotë: Qoftë larg meje kjo gjë; sepse unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana ime. 31 Ja, po vijnë ditët kur unë do të shkatërroj forcën tënde dhe forcën e shtëpisë së atit tënd në mënyrë që të mos ketë më asnjë plak në shtëpinë tënde. 32 Dhe ke për të parë mjerimin e banesës sime, ndonëse dhe Perëndia i ka bërë aq të mira Izraelit, nuk do të ketë kurrë më asnjë plak në shtëpinë tënde. 33 Por ai nga të tutë që nuk kam për të hequr nga altari im do të konsumojë sytë e tu dhe do ta mbushë me trishtim zemrën tënde; dhe tërë pasardhësit e shtëpisë sate do të vdesin në lulen e rinisë. 34 Do të të shërbejë si shenjë ajo që ka për t'u ndodhur dy bijve të tu, Hofnit dhe Finehasit; që të dy do të vdesin në të njëjtën ditë. 35 Por unë do të zgjedh për vete një prift besnik, që ka për të vepruar simbas asaj që ndjej në zemrën dhe në shpirtin tim; unë do t'i ndërtoj një shtëpi të qendrueshme, dhe ai ka për të ecur gjithmonë para të vajosurit tim. 36 Dhe kushdo që ka për të mbetur në shtëpinë tënde do të vijë të përulet para tij për një monedhë argjendi dhe një copë buke, dhe do të thotë: "Më prano, të lutem, në një nga detyrat priftërore, që të mund të ha një copë bukë"".