1 Chronicles 21:18-30

Albanian(i) 18 Atëherë engjëlli i Zotit urdhëroi Gadin t'i thotë Davidit që ky të dalë dhe t'i ngrejë një altar Zotit në lëmin e Ornanit, Jebuseut. 19 Kështu Davidi doli sipas fjalës që Gadi kishte shqiptuar në emër të Zotit. 20 Ornani u kthye dhe pa engjëllin; prandaj të katër bijtë e tij që ishin me të u fshehën, por Ornani vazhdoi të shijë grurin. 21 Kur Davidi arriti pranë Ornanit, ky e shikoi dhe e njohu Davidin; doli pastaj nga lëmi dhe ra përmbys para Davidit me fytyrë për tokë. 22 Atëherë Davidi i tha Ornanit: "Më jep sipërfaqen e lëmit; që të ndërtojë një altar për Zotin; ma jep për gjithë vlerën e saj, me qëllim që fatkeqësia të mos godasë më popullin". 23 Ornani i tha Davidit: "Merre; dhe mbreti, zoti im, të bëjë atë që i duket më e mirë; ja, unë po të jap edhe qetë e olokaustit, veglat e shirjes për dru dhe grurin për blatimin e ushqimit; po t'i jap të gjitha". 24 Por mbreti David i tha Ornanit: "Jo! Unë dua ta ble për vlerën e saj të plotë, sepse nuk ka për të marrë për Zotin atë që është prona jote dhe nuk kam për të ofruar një olokaust që nuk më kushton asgjë". 25 Kështu Davidi i dha Ornanit si çmim të tokës peshën e gjashtëqind siklave ari. 26 Pastaj Davidi ndërtoi aty një altar për Zotin, ofroi olokauste dhe flijime falenderimi dhe kërkoi ndihmën e Zotit, që iu përgjigj me zjarrin që zbriti nga qielli mbi altarin e olokaustit. 27 Atëherë Zoti urdhëroi engjëllin ta fusë përsëri shpatën e tij në myll. 28 Në atë kohë Davidi, duke parë që Zoti ia kishte plotësuar dëshirën në lëmin e Ornanit, Jebuseut, ofroi aty flijime. 29 Në fakt tabernakulli i Zotit që Moisiu kishte ndërtuar në shkretëtirë dhe altari i olokausteve ndodheshin atëherë në vendin e lartë të Gabaonit. 30 Por Davidi nuk mund të shkonte përpara atij altari për t'u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte trembur përpara shpatës së engjëllit të Zotit.