1 Chronicles 12:23-40

Albanian(i) 23 Ky është numri i krerëve të armatosur për luftë, që shkuan te Davidi në Hebron për t'i kaluar atij mbretërinë e Saulit, sipas fjalës së Zotit. 24 Bijtë e Judës, që mbanin mburoja dhe shtiza ishin gjashtë mijë e tetëqind veta, të armatosur për luftë. 25 Nga bijtë e Simeonit, njerëz të fortë dhe trima në luftë, ishin shtatë mijë e njëqind veta. 26 Nga bijtë e Levit, katër mijë e gjashtëqind veta; 27 përveç Jehojadit, princit të familjes së Aaronit, që kishte tre mijë e shtatëqind veta, 28 dhe Tsadoku, një i ri i fortë dhe trim, me njëzet e dy krerë të shtëpisë së tij atërore. 29 Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit). 30 Nga bijtë e Efraimit, njëzet mijë e tetëqind veta, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, sipas shtëpive të tyre atërore. 31 Nga gjysma e fisit të Manasit, tetëmbëdhjetë mijë veta, që u zgjodhën individualisht për të vajtur dhe për ta shpallur mbret Davidin. 32 Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohrat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli: dyqind krerë dhe tërë vëllezërit e tyre në urdhrat e tyre. 33 Nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë, që shkonin të luftonin, të shkathët për tu vendosur në rend beteje me të gjitha armët e luftës dhe të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur. 34 Nga Neftali, një mijë krerë dhe me ta tridhjetë e shtatë mijë njerëz me mburoja dhe shtiza. 35 Nga Danitët, të shkathët për t'u radhitur në rend beteje, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind veta. 36 Nga Asheri, dyzet mijë, që shkonin të luftonin dhe që ishin të shkathët për t'u vendosur në rend beteje. 37 Nga ana tjetër e Jordanit, nga Rubenitët, nga Gaditët dhe nga gjysma e fisit të Manasit, njëqind e njëzet mijë veta, të pajisur me të gjitha armët për të luftuar. 38 Tërë këta luftëtarë, të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur, erdhën në Hebron për ta shpallur Davidin mbret mbi tërë Izraelin; edhe pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mëndje për ta bërë mbret Davidin. 39 Ata qëndruan atje tri ditë me Davidin, duke ngrënë dhe duke pirë, sepse vëllezërit e tyre kishin siguruar ushqim për ta. 40 Edhe nga ata që banonin afër tyre, madje edhe nga Isakari, nga Zabuloni dhe nga Neftali sillnin ushqime me gomarë, me deve, me mushka dhe me qe, furnizime të mëdha: miell, bukëfiqe dhe rrush të thatë, verë, vaj, lopë dhe dele me bollëk; sepse Izraeli ishte shend e verë.