Bible verses about "psalms" | Albanian

Psalms 19:1-14

1 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. 2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës. 3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet; 4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin; 5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij. 6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t'i fshihet nxehtësisë së tij. 7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. 8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. 9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; 10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet. 11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë. 12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh. 13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha. 14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Psalms 51:1-19

1 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. 2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im, 3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. 4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon. 5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat. 6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës. 7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora. 8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato. 9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia. 10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur. 11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë. 12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës. 13 Atëherë do t'u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje. 14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde. 15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd. 16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. 17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. 18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit. 19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

Psalms 150:1-6

1 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij. 2 Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij. 3 Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. 4 Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. 5 Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese. 6 Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Isaiah 40:8

8 Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë".

2 Timothy 3:16

16 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

Ephesians 5:19

19 duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;

Psalms 37:1-40

1 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, 2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. 3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. 4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. 5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar. 6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita. 7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij. 8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen. 9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës. 10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. 11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. 12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij. 13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij. 14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre. 15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen. 16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve. 17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët. 18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë. 19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen. 20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave. 21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron. 22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen. 23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij. 24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore. 25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë. 26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim. 27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme. 28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen. 29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të. 30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi. 31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden. 32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë. 33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet. 34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh. 35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes, 36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më. 37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja. 38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen. 39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë. 40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Psalms 1:1-6

1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, 2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. 3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi. 4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan. 5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve. 6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Psalms 91:1-16

1 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit. 2 Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj". 3 Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse. 4 Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. 5 Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën, 6 as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë. 7 Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet. 8 Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve. 9 Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, 10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t'i afrohet çadrës sate. 11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. 12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur. 13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën. 14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim. 15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t'i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj. 16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t'i tregoj shpëtimin tim.

Colossians 3:16

16 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t'i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.

Psalms 23:1-6

1 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë. 2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. 3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. 4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër. 5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet. 6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.