Numbers 9:11 Cross References - Albanian

11 Do ta kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë në të ngrysur; do të hanë bukë të ndorme dhe barishte të hidhura;

Exodus 12:2-14

2 "Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit. 3 I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi. 4 Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund tëhajë. 5 Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec. 6 Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur. 7 Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë. 8 Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura. 9 Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet. 10 Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç'të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr. 11 Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit. 12 Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t'i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti. 13 Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t'ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit. 14 Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t'u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

Exodus 12:43-49

43 Pastaj Zoti i tha Moisiut dhe Aaronit: "Ky është rregulli i Pashkëve: asnjë i huaj nuk do të hajë; 44 por çdo skllav, i blerë me para, mbasi të jetë rrethprerë, mund të hajë. 45 Të ardhurit dhe mercenarët nuk do të hanë. 46 Qengji do të hahet vetëm në një shtëpi; asnjë pjesë të mishit të tij nuk do ta nxirrni jashtë shtëpisë dhe nuk do të thyeni asnjë kockë të tij. 47 Tërë asambleja e Izraelit do ta kremtojë atë. 48 Dhe kur një i huaj do të banojë me ty do të dojë të kremtojë Pashkët për nder të Zotit, tërë meshkujt e familjes së tij duhet të rrethpriten më parë dhe pastaj ai le të afrohet për të kremtuar këtë ditë, ai do të konsiderohet si i lindur në vend; por asnjë i parrethprerë s'ka për të ngrënë. 49 Do të ketë një ligj të vetëm për atë që ka lindur në vend dhe për të huajin që banon me ju".

Numbers 9:3

3 Do ta kremtoni në kohën e caktuar, ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, në të ngrysur; do ta kremtoni simbas të gjitha statuteve dhe dekreteve të saj".

Deuteronomy 16:3

3 Dhe nuk do të hash bashkë me të bukë të mbrujtur; shtatë ditë do të hash bukë të ndorme (sepse dole me nxitim nga vendi i Egjiptit), me qëllim që ta kujtosh ditën që dole nga Egjipti tërë ditët e jetës sate.

2 Chronicles 30:2-15

2 Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë; 3 në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem. 4 Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë. 5 Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar. 6 Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë. 7 Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni. 8 Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju. 9 Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai". 10 Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta. 11 Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem. 12 Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit. 13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh. 14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit. 15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.

John 19:36

36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ''Nuk do t'i thyhet asnjë eshtër''.

Cross Reference data is from OpenBible.info, retrieved June 28, 2010, and licensed under a Creative Commons Attribution License.