Mark 11:30 Cross References - Albanian

30 Pagëzimi i Gjonit a ishte nga qielli apo nga njerëzit? Më jepni përgjigje.

Matthew 3:1-17

1 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë, 2 dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!'' 3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''. 4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër. 5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai, 6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre. 7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen? 8 Jepni pra fryte të denja të pendesës! 9 Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve. 10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr. 11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin. 12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm''. 13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. 14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: ''Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?''. 15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: ''Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi''. Atëherë ai e lejoi. 16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; 17 dhe ja një zë nga qielli që tha: ''Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur''.

Mark 1:1-11

1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. 2 Ashtu si është shkruar tek profetët: ''Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje. 3 Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''. 4 Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. 5 Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre. 6 Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër. 7 Ai predikonte duke thënë: ''Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t'i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë''. 9 Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan. 10 Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb. 11 Dhe një zë erdhi nga qielli: ''Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.

Mark 9:13

13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç'deshën, ashtu siç është shkruar për të''.

Luke 3:1-20

1 Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës, 2 nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë. 3 Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve, 4 ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! 5 Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen 6 dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''. 7 Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen? 8 Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë. 9 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr''. 10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ''Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?''. 11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''. 12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: ''Mësues, ç'duhet të bëjmë?''. 13 Dhe ai u tha atyre: ''Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar''. 14 Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: ''Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!''. 15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë. 16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: ''Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr. 17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet''. 18 Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera. 19 Por Herodi, tetraku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer, 20 U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.

John 1:6-8

6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon. 7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij; 8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.

John 1:15-36

15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ''Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"''. 16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. 17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. 18 Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur. 19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ''Kush je ti?''. 20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ''Unë nuk jam Krishti''. 21 Atëherë ata e pyetën: ''Kush je, pra? A je Elia?''. Ai tha: ''Nuk jam!''. ''Je ti profeti?''. Dhe ai përgjigjej: ''Jo!''. 22 Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç'thua për veten tënde?''. 23 Ai u përgjigj: ''Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia''. 24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë; 25 ata e pyetën dhe i thanë: ''Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?''. 26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni. 27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''. 28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte. 29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! 30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!". 31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''. 32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të. 33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë". 34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''. 35 Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet. 36 Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''.

John 3:25-36

25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit. 26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: ''Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai''. 27 Gjoni u përgjigj dhe tha: ''Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli. 28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij". 29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar! 30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem. 31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë. 32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij. 33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë. 34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë. 35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë. 36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të''.

Cross Reference data is from OpenBible.info, retrieved June 28, 2010, and licensed under a Creative Commons Attribution License.