Genesis 9:10 Cross References - Albanian

10 dhe me gjithë gjallesat që janë me ju: zogj, bagëti dhe tërë kafshët e tokës që janë me ju, duke filluar nga tërë ata që kanë dalë nga arka dhe deri te tërë kafshët e tokës.

Genesis 8:1

1 Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre.

Genesis 9:15-16

15 dhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time midis meje dhe jush si dhe me çdo gjallesë të çfarëdo lloji mishi, dhe ujërat nuk do të shndërrohen më në një përmbytje për të shkatërruar çfarëdo lloj mishi. 16 Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme midis Perëndisë dhe çdo gjallese të çfarëdo mishi që ndodhet mbi tokë".

Job 38:1-41

1 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: 2 "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim? 3 Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. 4 Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. 5 Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? 6 Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes, 7 kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi? 8 Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës, 9 kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena? 10 Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta, 11 dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"? 12 Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit, 13 që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij? 14 Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje. 15 Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet. 16 A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës? 17 Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes? 18 A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto! 19 Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij, 20 që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij? 21 Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh. 22 Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit 23 që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës? 24 Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë? 25 Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve, 26 që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri, 27 për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari? 28 Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës? 29 Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit? 30 Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin. 31 A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit? 32 A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj? 33 A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë? 34 A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm? 35 Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?". 36 Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës? 37 Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit 38 kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre? 39 A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit, 40 kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre? 41 Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?

Job 41:1-34

1 A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar? 2 A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel? 3 A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla? 4 A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë? 5 A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua? 6 Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve? 7 A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja? 8 Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar. 9 Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri. 10 Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje? 11 Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja. 12 Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij. 13 Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë? 14 Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij? 15 Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule. 16 Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre. 17 Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen. 18 Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit. 19 Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri. 20 Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan. 21 Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë. 22 Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri. 23 Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin. 24 Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës. 25 Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar. 26 Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën. 27 E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi. 28 Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte. 29 Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës. 30 Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë. 31 E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem. 32 Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat. 33 Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë. 34 Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".

Psalms 36:5-6

5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë. 6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

Psalms 145:9

9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

Jonah 4:11

11 Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzetmijë veta që nuk dijnë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre, dhe një sasi të madhe kafshësh?".

Cross Reference data is from OpenBible.info, retrieved June 28, 2010, and licensed under a Creative Commons Attribution License.