Mark 9:14-29

Albanian(i) 14 Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta. 15 Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur. 16 Atëherë ai i pyeti skribët: ''Për çfarë po diskutoni me ta?''. 17 Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: ''Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece, 18 dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s'e bënë dot. 19 Dhe ai duke u përgjigjur tha: ''O brez që s'beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Ma sillni këtu!''. 20 Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar. 21 Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: ''Sa kohë ka që i ndodh kështu?''. Dhe ai tha: ''Që në fëmijëri. 22 Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!''. 23 Dhe Jezusi i tha: ''Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson''. 24 Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ''Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim''. 25 Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: ''O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!''. 26 Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: ''Ka vdekur''. 27 Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë. 28 Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: ''Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?''. 29 dhe ai u tha atyre: ''Ky lloj frymërash nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim''.