Mark 1:1-8

Albanian(i) 1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. 2 Ashtu si është shkruar tek profetët: ''Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje. 3 Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''. 4 Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. 5 Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre. 6 Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër. 7 Ai predikonte duke thënë: ''Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t'i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë''.