Mark 14:12-25

Albanian(i) 12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ''Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?''. 13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ''Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë. 14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?". 15 Atëherë ai do t'ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne''. 16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën. 17 Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët. 18 Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''. 19 Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''. 20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak. 21 Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''. 22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. 23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj. 24 Atëherë u tha: ''Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta. 25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë''.