Luke 9:57-10:16

Albanian(i) 57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: ''Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh''. 58 Por Jezusi i tha: ''Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën''. 59 Pastaj i tha një tjetri: ''Ndiqmë!''. Por ai përgjigjej: ''Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim''. 60 Jezusi i tha: ''Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë''. 61 Akoma një tjetër i tha: ''Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime''. 62 Jezusi i tha: ''Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë''. 10 1 Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte. 2 Dhe u thoshte atyre: ''E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet. 3 Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve. 4 Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës. 5 Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi". 6 Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju. 7 Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t'ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër. 8 Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t'ju vënë përpara. 9 Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar". 10 Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni: 11 "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar". 12 Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet. 13 Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi. 14 Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju. 15 Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr. 16 Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar''.