Jeremiah 31:3-12

Albanian(i) 3 Shumë kohë më parë Zoti m'u shfaq duke thënë: "Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi. 4 Unë do të të rindërtoj dhe ti do të rindërtohesh, o virgjëreshë e Izraelit. Do të zbukurohesh përsëri me dajret e tua dhe do të dalësh në mes të valleve të atyre që bëjnë festë. 5 Do të mbjellësh përsëri vreshta mbi malet e Samarias; mbjellësit do të mbjellin dhe do të vjelin frytin e tyre. 6 Do të vijë dita kur rojet do të bërtasin në malin Efraim: "Çohuni, të ngjitemi në Sion, tek Zoti, Perëndia ynë"". 7 Sepse kështu thotë Zoti: "Ngrini këngë gëzimi për Jakobin dhe lëshoni britma për të parin e kombeve; shpallni, këndoni lëvdata dhe thoni: O Zot, shpëto popullin tënd, atë që mbeti nga Izraeli. 8 Ja, unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga skajet e tokës. Midis tyre është i verbëri dhe çalamani, gruaja me barrë dhe bashkë me të ajo që ka për të pjellë: një turmë e madhe do të kthehet këtu. 9 Do të vinë duke qarë, do t'i çoj duke u lutur. Do t'i bëj të ecin gjatë rrjedhave ujore, nëpër një rrugë të drejtë në të cilën nuk do të pengohen, sepse jam një atë për Izraelin, dhe Efraimi është i parëlinduri im. 10 O kombe, dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe thoni: Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si vepron bariu me kopenë e tij. 11 Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai. 12 Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më.