Genesis 2:1-11:32

Albanian(i) 1 Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre. 2 Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. 3 Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer. 4 Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin. 5 Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën. 6 Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës. 7 Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. 8 Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. 9 Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. 10 Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji. 11 Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori; 12 dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit. 13 Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit. 14 Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati. 15 Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. 16 Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; 17 por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri". 18 Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis". 19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t'i quante; dhe sido që njeriu t'i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. 20 Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. 21 Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. 22 Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. 23 Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". 24 Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. 25 Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj. 3 1 Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"". 2 Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: "Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; 3 por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"". 4 Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak; 5 por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". 6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. 7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar. 8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit. 9 Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?". 10 Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha". 11 Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?". 12 Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra". 13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj". 14 Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. 15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj". 16 Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty". 17 Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të 18 Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; 19 do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh". 20 Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve. 21 Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi. 22 Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë". 23 Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë. 24 Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës. 4 1 Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti". 2 Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. 3 Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; 4 por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, 5 por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. 6 Atëherë Zoti i tha Kainit: "Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? 7 Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh". 8 Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau. 9 Atëherë Zoti i tha Kainit: "Ku është vëllait yt Abeli?". Ai u përgjegj: "Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?". 10 Zoti i tha: "Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. 11 Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. 12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë". 13 Atëherë Kaini i tha Zotit; "Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. 14 Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë". 15 Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo qoftë të vrasë Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste. 16 Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit. 17 Dhe Kaini njohu të shoqen, e cila u ngjiz dhe lindi Enokun. Pastaj Kaini ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit. 18 Dhe Enokut i lindi Iradi; Iradit i lindi Mehujaeli; Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe Mathusaelit i lindi Lameku. 19 Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah. 20 Dhe Ada lindi Jabalin, që ishte babai i atyre që banojnë nën çadra dhe merren me rritjen e bagëtisë. 21 Por emri i të vëllait ishte Jubal, që ishte babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit. 22 Cilah lindi edhe ajo Tubal-kainin, krijuesi i çfarëdo lloji veglash prej bronzi dhe hekuri, dhe motra e Tubal-kainit qe Naama. 23 Pastaj Lameku u tha grave të tij: "Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim; gra të Lamekut, u vini re fjalëve të mia! Po, unë vrava një njeri sepse më plagosi, dhe një të ri sepse më shkaktoi një irnim. 24 Në rast se do t'i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t'i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë". 25 Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: "Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini". 26 Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit. 5 1 Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë. 2 Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan. 3 Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth. 4 Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija. 5 Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq. 6 Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi. 7 Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. 8 Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq. 9 Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani. 10 Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. 11 Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq. 12 Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli. 13 Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë. 14 Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq. 15 Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi. 16 Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. 17 Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq. 18 Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku. 19 Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë. 20 Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq. 21 Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu. 22 Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë. 23 Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. 24 Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete. 25 Metuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe i lindi Lameku. 26 Mbas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindën bij e bija. 27 Kështu Metuselahu jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet; pastaj ai vdiq. 28 Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindi një bir; 29 dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: "Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar". 30 Pasi solli në këtë botë Noeun, Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe i lindën bij e bija të tjerë. 31 Kështu Lameku jetoi gjithsej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet, pastaj ai vdiq. 32 Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti. 6 1 Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza, 2 djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë. 3 Dhe Zoti tha: "Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet". 4 Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve. 5 Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. 6 Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet. 7 Kështu Zoti tha: "Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar". 8 Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit. 9 Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë. 10 Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin. 11 Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë. 12 Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij. 13 Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kam vendosur t'i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t'i zhduk bashkë me tokën. 14 Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda. 15 Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë. 16 Do ta bësh arkën me një dritare dhe do ta mbarosh me një kubit mbulese nga sipër; anash arkës do të vendosësh derën dhe do ta bësh me tre kate, pra me katin e poshtëm, të mesëm dhe të sipërm. 17 Dhe ja, unë vet kam për të sjellë përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiellin çdo mish që ka shenjë jete; çdo gjë që ndodhet mbi tokën ka për të vdekur. 18 Por unë do të caktoj besëlidhjen time me ty dhe ti do të futesh në arkën: ti, fëmijët e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu. 19 Dhe nga çdo gjë që jeton prej çdo lloj mishi fut në arkë dy nga çdo lloj, për t'i ruajtur me vete gjallë bashkë me ty; dhe të jenë mashkull dhe femër. 20 Nga zogjtë, nga bagëtia dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre, dy nga çdo lloj do të vijnë te ti, që të ruhen gjallë. 21 Dhe merr për vete nga çdo ushqim që hahet, grumbulloje dhe ruaje, në mënyrë që të shërbejë si ushqim për ty dhe për ata". 22 Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar. 7 1 Atëherë Zoti i tha Noeut: "Hyrë në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse pashë se je i drejtë para meje në këtë brez. 2 Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë çifte, meshkuj e femra, si dhe nga kafshët jo të pastra një çift, mashkull dhe femër; 3 edhe nga zogjtë e qiellit merr shtatë çifte, meshkuj e femra, për të ruajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e tërë dheut; 4 sepse mbas shtatë ditëve do të bëj që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net me rradhë, dhe do të shfaros nga faqja e dheut tërë qeniet e gjalla që kam krijuar". 5 Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti. 6 Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur mbi tokë ndodhi përmbytja e ujërave. 7 Kështu Noeu u fut në arkë bashkë me bijtë e tij, me të shoqen dhe me gratë e bijve të tij, për shkak të ujërave të përmbytjes. 8 Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët jo të pastra, nga zogjtë e nga të gjitha llojet që zvarriten mbi tokë, 9 erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër, ashtu si e kishte porositur Perëndia atë. 10 Në fund të shtatë ditëve, ujërat e përmbytjes mbuluan tokën. 11 Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën. 12 Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net. 13 Po atë ditë hynë në arkë Noeu dhe bijtë e tij Semi, Kami dhe Jafeti, gruaja e Noeut si dhe tri gratë e bijve të tij me ta; 14 ata dhe të gjitha bishat simbas llojit, tërë bagëtia simbas llojit të saj, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokën simbas llojit të tyre, tërë zogjtë simbas llojit të tyre, tërë zogjtë e çfarëdo lloji. 15 Ata erdhën te Noeu në arkë, dy nga dy, prej çdo mishi që ka frymë jete; 16 hynë, mashkull e femër, nga çdo mish, ashtu si Perëndia e kishte porositur Noeun; pastaj Zoti i mbylli brenda. 17 Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë. 18 Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave. 19 Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan. 20 Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre. 21 Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit. 22 Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës. 23 Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë. 24 Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë. 8 1 Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre. 2 Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi. 3 Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar. 4 Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit. 5 Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve. 6 Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë, 7 dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë. 8 Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës. 9 Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës. 10 Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës. 11 Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka. 12 Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai. 13 Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë. 14 Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë. 15 Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë: 16 "Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty. 17 Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë". 18 Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij. 19 Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjthçka lëviz mbi tokë, simbas familjeve të tyre, dolën nga arka. 20 Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin. 21 Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: "Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë. 22 Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata. 9 1 Pastaj Perëndia bekoi Noeun dhe bijtë e tij dhe u tha atyre: "Qofshi frytdhënës, shumëzoheni dhe mbusheni tokën. 2 Dhe frika dhe tmerri juaj do të ushtrohet mbi të gjitha kafshët e tokës, mbi të gjithë zogjtë e qiellit, mbi gjithçka që lëviz mbi tokë, si edhe mbi të gjithë peshqit e detit. Ata janë lënë në pushtetin tuaj. 3 Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t'ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra; ju jap edhe barin e gjelbër; 4 por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij. 5 Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t'ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t'i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut. 6 Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij. 7 Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumohuni në të". 8 Pastaj Perëndia u foli Noeut dhe bijve të tij që ishin bashkë me të, duke thënë: 9 "Sa për mua, unë caktoj besëlidhjen time me ju dhe me brezin që vjen pas jush, 10 dhe me gjithë gjallesat që janë me ju: zogj, bagëti dhe tërë kafshët e tokës që janë me ju, duke filluar nga tërë ata që kanë dalë nga arka dhe deri te tërë kafshët e tokës. 11 Unë e caktoj besëlidhjen time me ju: asnjë lloj mishi nuk do të shfaroset më nga ujërat e përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën". 12 Pastaj Perëndia tha: "Kjo është shenja e besëlidhjes që unë përfundoj midis meje dhe jush, me të gjitha qeniet e gjalla që janë me ju, me të gjithë brezat e ardhshëm. 13 Unë e vendos ylberin tim në një re, dhe do të shërbejë si shenjë për besëlidhjen e përfunduar midis meje dhe tokës. 14 Dhe kur të sjell re mbi tokën, do të ndodhë që harku të shfaqet në retë; 15 dhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time midis meje dhe jush si dhe me çdo gjallesë të çfarëdo lloji mishi, dhe ujërat nuk do të shndërrohen më në një përmbytje për të shkatërruar çfarëdo lloj mishi. 16 Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme midis Perëndisë dhe çdo gjallese të çfarëdo mishi që ndodhet mbi tokë". 17 Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kjo është shenja e besëlidhjes që unë kam caktuar midis meje dhe çfarëdo mishi që është mbi tokë". 18 Dhe bijtë e Noeut që dolën nga arka qenë Semi, Kami dhe Jafeti; Kami është babai i Kanaanit. 19 Këta janë tre bijtë e Noeut, dhe ata populluan tërë tokën. 20 Më vonë Noeu, që ishte bujk, filloi të mbjellë një vresht; 21 dhe piu verë e u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij. 22 Dhe Kami, i ati i Kanaanit, pa babanë e tij lakuriq dhe vajti t'ua thotë vëllezërve të tij që ndodheshin jashtë. 23 Por Semi dhe Jafeti muarrën një mantel, e hodhën mbi shpatullat e tyre dhe, duke ecur së prapthi, mbuluan lakuriqësinë e babait të tyre; dhe, me qënë se fytyrat e tyre ishin kthyer nga ana tjetër, ata nuk e panë lakuriqësinë e babait të tyre. 24 Kur Noeu u zgjua nga dehja e tij, mësoi atë që i kishte bërë i biri më i vogël, dhe tha: 25 "I mallkuar qoftë Kanaani! Ai qoftë shërbyesi i shërbëtorëve të vëllezërve të tij!". 26 Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit, dhe Kanaani të jetë shërbëtori i tij. 27 Perëndia ta rritë Jafetin dhe ky të banojë në çadrat e Semit; Kanaani qoftë shërbyesi i tij!". 28 Mbas përmbytjes, Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet. 29 Kështu Noeu jetoi gjithsejt nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq. 10 1 Këta janë pasardhësit e bijve të Noeut: Semit, Kamit dhe Jafetit; mbas përmbytjes, atyre u lindën fëmijë. 2 Jafeti pati si bij: Gomerin, Magogun, Madainin, Javanin, Tubalin, Meshekun dhe Tirasin. 3 Bijtë e Gomerit qenë: Ashkenazi, Rifathi dhe Togarmahu. 4 Bijtë e Javanit qenë: Elishami, Tarshishi, Kitimi dhe Dodanimi. 5 Prej tyre rrjedhin popujt e shpërndarë në ishujt e kombeve, në vendet e tyre të ndryshme, secili simbas gjuhës së vet, simbas familjeve të tyre dhe kombeve të tyre. 6 Bijtë e Kamit qenë: Kushi, Mitsraimi, Puti dhe Kanaani. 7 Bijtë e Kushit qenë: Seba, Havilahu, Sabtahu, Raamahu dhe Sabtekahu; dhe bijtë e Raamahut qenë: Sheba dhe Dedani. 8 Kushit i lindi Nimrodi, që filloi të jetë një njeri i fuqishëm mbi tokë. 9 Ai qe një gjahtar i fuqishëm para Zotit; prandaj thuhet: "Si Nimrodi, gjahtari i fuqishëm para Zotit". 10 Dhe fillimi i mbretërimit të tij qe Babeli, Ereku, Akadi dhe Kalmehu në vendin e Shinarit. 11 Nga ky vend shkoi në Asiri dhe ndërtoi Ninivën, Rehoboth-Irin dhe Kalahun; 12 midis Ninivës dhe Kalahut ndërtoi Resenin (që është qyteti i madh). 13 Mitsraimit i lindën Ludimët, Ananimët, Lehabimët, Nuftuhimët, 14 Pathrusimët, Kasluhimët (prej të cilëve dolën Filistejtë) dhe Kaftorimët. 15 Kanaanit i lindi Sidoni, i parëlinduri i tij, dhe Heti, 16 dhe Gebusejtë, Amorejtë, Girgasejtë, 17 Hivejtë, Arkejtë, Sinejtë, 18 Arvadejtë, Cemarejtë dhe Hamathejtë. Pastaj familjet e Kanaanëve u shpërndanë. 19 Dhe kufijtë e Kanaanëve shkuan nga Sidoni, në drejtim të Gerarit, deri në Gaza; dhe në drejtim të Sodomës, Gomorës, Admës dhe Ceboimoit deri në Lesha. 20 Këta janë bijtë e Kamit, simbas familjeve të tyre, simbas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre, në kombet e tyre. 21 Edhe Semit, babai i të gjithë fëmijëve të Eberit dhe vëlla madhor i Jafetit, i lindën bij. 22 Bijtë e Semit qenë: Elami, Asuri, Arpakshadi, Ludi dhe Arami. 23 Bijtë e Aramit qenë: Uzi, Huli, Getheri dhe Mashi. 24 Nga Arpakshadi lindi Shelahu dhe nga Shelahu Eberi. 25 Eberit i lindën dy bij; emri i njërit prej tyre ishte Peleg, sepse në ditët e tij toka u nda, dhe emri i të vëllait ishte Joktan. 26 Nga Joktani lindën Almodadi, Shelefi, Hatsarmavethi dhe Jerahu, 27 Hadorami, Uzali, Diklahu, 28 Obali, Abimaeli, Sheba, 29 Ofiri, Havilahu dhe Jobabi. Tërë këta qenë bij të Joktanit. 30 Dhe vendbanimi i tyre qe mali lindor, nga Mesha deri në Sefar. 31 Këta janë bijtë e Semit, simbas familjeve të tyre, simbas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre simbas kombëve të tyre. 32 Këto janë familjet e bijve të Noeut, simbas brezave të tyre, në kombet e tyre; dhe prej tyre dolën kombet që u shpërndanë në tokë mbas përmbytjes. 11 1 Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë. 2 Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje. 3 Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t'i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit. 4 Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t'i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut". 5 Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar. 6 Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. 7 O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit". 8 Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. 9 Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut. 10 Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes. 11 Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija. 12 Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu. 13 Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija. 14 Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi. 15 Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija. 16 Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu. 17 Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 18 Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu. 19 Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 20 Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu. 21 Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 22 Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori; 23 mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija. 24 Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu; 25 mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 26 Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani. 27 Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti. 28 Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të Kaldeasve. 29 Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut. 30 Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë. 31 Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Ur i Kaldeasve për të vajtur në vendin e Kanaanëve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty. 32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.