Exodus 30:23-38

Albanian(i) 23 "Gjej edhe aromat më të mira: pesëqind sikla mirrë të lëngët, dyqind e pesëdhjetë, domethënë gjysma, cinamon aromatik dhe dyqind e pesëdhjetë kanellë aromatike, 24 pesëqind sikla, në bazë të siklit të shenjtërores, kasie dhe një hin vaj ulliri. 25 Me këto të përgatitësh një vaj për vajosjen e shenjtë, një parfum të prodhuar me artin e parfumierit: ky do të jetë vaji i vajosjes së shenjtë. 26 Me të do të vajosësh çadrën e mbledhjes dhe arkën e dëshmisë, 27 tryezën dhe të gjitha veglat e tij, shandanin dhe të gjitha përdorëset e tij, altarin e temjanit, 28 altarin e olokausteve dhe të gjitha përdorëset e tij, legenin dhe bazën e tij. 29 Do të shenjtërosh kështu këto gjëra dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta. 30 Do të vajosësh edhe Aaronin dhe bijtë e tij dhe do t'i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj. 31 Pastaj do t'u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: "Ky do të jetë për mua një vaj për vajosjen e shenjtë, brez pas brezi. 32 Nuk do ta derdhni mbi mish njeriu dhe nuk do të përgatisni tjetër po ashtu; ai është i shenjtë, do të jetë i shenjtë edhe për ju. 33 Kushdo që përgatit të ngjashëm, apo kushdo që e vë mbi një të huaj, do të shfaroset nga populli i tij"". 34 Zoti i tha akoma Moisiut: "Gjej disa aroma, storaks, guaska erëmira, galban, aroma me temjan të kulluar, në doza të barabarta; 35 do të përgatitësh me to një parfum simbas artit të parfumierit, një parfum të kripur, të pastër dhe të shenjtë; 36 do ta kthesh një pjesë të tij në pluhur shumë të hollë dhe do të vendosësh pak nga ai përpara dëshmisë në çadrën e mbledhjes, ku unë do të të takoj: ai do të jetë për ju një gjë shumë e shenjtë. 37 Por nga temjani që ke për të bërë, nuk do të përgatisni për veten tuaj me të njëjtën përbërje; kjo do të jetë për ty një gjë e shenjtë kushtuar Zotit. 38 Kushdo që do të përgatisë një temjan të këtij lloji, do të shfaroset nga populli i tij".