2 Kings 17:6-23

Albanian(i) 6 Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit. 7 Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera; 8 kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit. 9 Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara. 10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues; 11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit; 12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: "Mos bëni një gjë të tillë!". 13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve". 14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre. 15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t'i imitonin. 16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit; 17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij. 18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës. 19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli. 20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij. 21 Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh. 22 Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre, 23 deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.