1 Samuel 14:1-14

Albanian(i) 1 Një ditë ndodhi që Jonathani, bir i Saulit, i tha shqyrtarit të tij të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të Filistejve, që ndodhen në anën tjetër". Por nuk i tha asgjë të atit. 2 Sauli rrinte atëherë në skajin e Gibeahut nën shegën që është në Migron, dhe njerëzit që ishin me të arrinin në rreth gjashtë qind veta. 3 Ahijahu, bir i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, birit të Elit, prift i Zotit, në Shiloh kishte veshur efodin. Por populli nuk e dinte që Jonathani kishte ikur. 4 Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e Filistejve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh. 5 Njeri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut. 6 Jonathani i tha shqyrtarit të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz". 7 Shqyrtari i tij iu përgjegj: "Bëj ç'ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote". 8 Atëherë Jonathani tha: "Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t'i bëjmë që të na shohin. 9 Po të na thonë: "Ndaluni deri sa t'ju arrijmë", ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata; 10 por në rast se na thonë: "Ejani te ne", ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë". 11 Kështu të dy u panë nga garnizoni i Filistejve; dhe Filistejtë thanë: "Ja Hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!". 12 Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqyrtarit të tij dhe thanë: "Ejani te ne se kemi diçka për t'ju thënë". Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: "Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit". 13 Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqyrtari i tij. Filistejtë binin përpara Jonathanit, dhe shqyrtari pas tij i vriste. 14 Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqyrtari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë.