1 Kings 10:1-13

Albanian(i) 1 Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për diturinë e Salomonit për shkak të emrit të Zotit, erdhi ta vërë në provë me anë pyetjesh të vështira. 2 Ajo arriti në Jeruzalem me një suitë shumë të madhe, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuara; pastaj shkoi te Salomoni dhe i foli atij për të gjitha gjërat që kishte në zemër. 3 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asgjë që të ishte e fshehtë për mbretin dhe që ky të mos ishte në gjendje ta shpjegonte. 4 Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë diturinë e Salomonit, shtëpinë që ai kishte ndërtuar, 5 gjellët e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamarierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti pa fjalë. 6 Pastaj i tha mbretit: "Ishte e vërtetë, pra, ajo që kisha dëgjuar në vendin tim për fjalët e tua dhe diturinë tënde. 7 Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa nuk erdha vetë dhe nuk i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, as gjysmën e tyre nuk më kishin thënë. Dituria dhe begatia jote tejkalojnë famën për të cilën me kishin folur. 8 Lum njerëzit e tu, lum shërbëtorët e tu që rrinë gjithnjë përpara teje dhe dëgjojnë diturinë tënde! 9 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që pati mirësinë të të vërë mbi fronin e Izraelit! Për shkak të dashurisë së tij të përjetshme për Izraelin, Zoti të ka vënë mbret për të ushtruar arsyen dhe drejtësinë". 10 Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talente ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk u çuan më aq aroma sa i dha mbretëresha Sheba mbretit Salomon. 11 (Flota e Hiramit që transporon flori nga Ofiri, solli që andej një sasi të madhe dru santali dhe gurësh të çmuar; 12 me durin e santalit mbreti bëri mbështetëse për shtëpinë e Perëndisë dhe për pallatin mbretëror si edhe qeste dhe harpa për këngëtarët. Dru santali nuk sollën më dhe nuk është parë më deri më sot). 13 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës Sheba të gjitha gjërat që ajo i kërkoi; përveç këtyre, Salomoni i dhe asaj shumë gjëra me bujarinë e tij të madhe mbretërore. Pastaj ajo mori përsëri rrugën dhe u kthye në vendin e saj bashkë me shërbëtorët e vet.